Thiago: Ta harrojmë politikën, të flasim për Shqipërinë

04/10/2017 00:00

Shqipëria do të ndeshet me Spanjën ditën e premte, ndeshja e parafundit e këtyre eliminatoreve dhe kundërshtarët tanë duket se nuk janë në një situatë të mirë dhe këtë e vërteton edhe mesfushori i Bayern, i cili kërkon përqendrim.

Thiago Alcantara ka folur për mediat para ndeshjes me Shqipërinë, duke thënë se “La Roja” duhet të flasë për futbollin në fushë dhe jo për kontestimet e tifozëve ndaj mbrojtësit Gerard Pique.

Të dielën në Katalonjë u mbajt referendumi për pavarësi, ku u votua pro ndarjes nga Spanja dhe tashmë kanë nisur polemika të mëdha, sidomos mbi Pique.

“Ndjejmë keqardhje që nuk mund të flasim për futboll, që nuk mund të diskutojmë për ndeshjen me Shqipërinë, por që përballemi me çështje politike. Ne jemi futbollistë, nuk merremi me politikë dhe mundohemi gjithmonë që debatet dhe pikëpamjet personale të mos i përfshimë në përfaqësuese. Pique ka qenë gjithmonë i përkushtuar dhe i lumtur në Kombëtaren e Spanjës. Përsa i takon kontestimeve, Gerard ka luajtur shumë herë në “Bernabeu” dhe nuk i bën përshtypje asnjë ambient armiqësor apo vërshëllimat”, tha Alcantara.

Sipas mesfushorit të Atletico Madrid, Koke, pavarësisht situatës jo të qetë politike në vend, atmosfera në përfaqësuesen iberike nuk ka ndryshuar.

“Gjithmonë e kemi ndjerë mbështetjen e njerëzve. Atmosfera në skuadër nuk ka ndryshuar dhe jemi të përqendruar te ndeshja me Shqipërinë, për ti mbyllur këto kualifikuese në vendin e parë. Situata politike është në vëmendjen e të gjithëve, megjithatë ne jemi profesionistë dhe jemi të përqendruar vetëm te futbolli. Synojmë ti fitojmë dy ndeshjet me Shqipërinë dhe Izraelin edhe pse e kemi të qartë që nuk do të jetë e lehtë”.

Top Channel