Me nismën e ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, fillon këtë të mërkurë në Selanik, takimi i dytë ministror midis Greqisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë, me synimin që ai të kthehet në një mjet të sinqertë dialogu mes fqinjëve të vendeve të Ballkanit Jugor.

Sipas burimeve pranë Ministrisë së Jashtme, axhenda e bisedimeve është zgjeruar në mënyrë që të rritet bashkëpunimi ndërkufitar në një numër çështjesh me interes të përbashkët, si siguria dhe energjia. Kjo është arsyeja përse në takim, përveç ministrave të Jashtëm marrin pjesë edhe ata të Brendshëm dhe të Energjisë.

Sipas Athinës, kjo nismë diplomatike është pjesë e një strategjie më të gjerë për të forcuar stabilitetin rajonal në Ballkan, por edhe më të gjerë në Mesdheun Juglindor.

Takimi ka për qëllim të vendosë një bashkëpunim të institucionalizuar mes vendeve të rajonit në çështjet strategjike, siç janë sfidat që duhet të menaxhojnë përsa i përket sigurisë, përballimit të ekstremizmit dhe terrorizmit, radikalizimit, luftës kundër krimit të organizuar, por edhe të ndikimit të krizës migratore, të cilat ende ndihen në një masë më të madhe, ose më të vogël, në të gjitha shtetet e Ballkanit.

Gjithashtu do të hulumtohen mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm në çështje të tilla, si përballimi i zjarreve pas ndihmës që dha Greqia në fikjen e zjarreve shkatërruese të verës në Shqipëri, si dhe bashkëpunimi në sektorin e energjisë, për përforcimin e sigurisë së energjisë dhe promovimi i ndërlidhjes së rrjeteve energjetike.

Mesazhi politik, që Greqia synon të promovojë në këtë ministerial, është se një qasje gjithëpërfshirëse për këto çështje, në bazë të të gjitha vlerave europiane dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, janë parakushte thelbësore për kursin europian të të gjithë rajonit të Ballkanit.

Me interes të veçantë priten në kuadër të ministerialit edhe takimet e veçanta që mund të kenë krerët e diplomacisë të vendeve pjesëmarrëse.

Top Channel