Komiteti i SA: Më shpejt me reformën në drejtësi dhe vettingun

04/10/2017 00:00

Takimi i tetë i Komitetit të Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian është mbajtur në Bruksel.

Takimi është kryesuar nga drejtoresha për Ballkanin perëndimor në Direktoratin e përgjithshëm për politikat e fqinjësisë evropiane, Genoveva Ruiz kalavera dhe Eralda Cani, përfaqësuese e qeverisë shqiptare.

Komiteti është ndalur tek zhvillimet më të rëndësishme të vitit të shkuar në fushat e sundimit të ligjit, reformës së administratës, tregtisë, zhvillimit ekonomik, etj.

Komisioni Evropian ka mirëpritur progresin në këto fusha dhe ka nënvizuar nevojën për të parë rezultate, veçanërisht në reformën e drejtësisë dhe procesin e vettingut.

Ai po ashtu ka inkurajuar vijimin e progresit në të gjitha prioritetet kyçe, përfshirë korrupsionin, krimin e organizuar, kultivimin e kanabisit, trafikimin, etj.

Përtej pesë prioriteteve kyce, Komisioni Evropian ka nënvizuar se ka edhe çështje të tjera që duhen trajtuar, siç është edhe aplikimi i pajustifikuar për azil në vendet anëtare të BE.

Komisioni Evropian vlerësoi se bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë një pjesë esenciale e progresit të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit evropian. Roli i Shqipërisë si partner strategjik për BE është nënvizuar po ashtu.

Top Channel