Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë në garazhin e një pallati 10-katësh në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, rreth orës 19:00 të së martës.
Disa automjete që ndodheshin në garazh janë rrezikuar nga zjarri, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur tre automjete zjarrfikëse si dhe forcat e policisë.
Hyrja në garazh për punonjësit e shërbimit zjarrfikës ka qenë e vështirë për shkak të flakëve dhe tymit. Pas një ore, ata kanë mundur të hyjnë duke lokalizuar dhe vënë nën kontroll vatrën e zjarrit.
Për të shmangur përhapjen e mëtejshme të flakëve në pallat, u ndërpre energjia elektrike, ndërsa banorëve iu kërkua që të dilnin nga banesat.
Sipas policisë, nga zjarri i rënë në garazh nuk janë dëmtuar automjetet që ndodheshin të parkuara. Grupi hetimor ka pohuar se zjarri në garazh mund të ketë rënë për shkak të një pakujdesie.
Top Channel