Parku i ri i Tiranës, projekti, 10 herë më i madh se parku “Rinia”

03/10/2017 00:00

Këshilli bashkiak i hapi rrugë ndërtimit të parkut qendror në Tiranë, i cili do të jetë një hapësirë e gjelbër afër 10 herë më shumë se parku Rinia. Përveç gjelbërimit, në këtë park do të ketë një hapësirë ujore duke e shndërruar në parkun më të madh në zonën veriore të kryeqytetit.

“Patjetër që ka gjelbërim dhe pemë, por ka kënde lodrash, hapësira për të bërë koncerte, për t’u shplodhur, për të vrapuar për të dalë me biçikletë. Rrjedhimisht tentohet për të patur një tjetër pol të rëndësishëm me gjelbërim, në një zonë që patjetër që do të marrë edhe zhvillim”, shprehet Joni Baboçi, drejtor i Urbanistikës në Bashkinë Tiranë.

Parku qendror i Tiranës do të pozicionohet në krahun e majtë Bulevardit të ri, aty ku sot gjendet tregu i rrobave të përdorura dhe më pas do të lidhet me një tjetër hapësirë të gjelbër në zonën e Bregut të Lumit. Investimet e bëra nga bashkia pritet të nxisin dhe investimet private në këtë zonë.

“Patjetër që ky është një pol i ri i qytetit, është një hapësirë e re që qyteti mund të shfryjë pak atë presionin e zhvillimit. Që shpesh herë në disa vende të tjera të Tiranës është i vështirë për të ndodhur. Për herë të parë në historinë e Tiranës, përpara kemi investuar në infrastrukturë, pra kemi rrugën, kemi kanalizimet, ujësjellësin, ndriçimin. E më pas po shohim mundësinë, në një mënyrë shumë të organizuar edhe nga ana estetike për të inçentevuar edhe investimin privat”, u shpreh Baboçi.

Në këtë zonë të Tiranës do të ndërtohet duke i dhënë rëndësi shfrytëzimit të vëllimit të ndërtimit, dhe jo hapësirës së truallit për të liruar hapësirë për publikun.

“Kemi menduar ta zhvillojmë parkun qendror pa shpronësime. Intensiteti në këtë zonë është relativisht i ulët, trualli që menaxhohet lejon që një pjesë e mirë e hapësirës të lirohet për Parkun. Pra kemi një plan të qartë ta realizojmë Parkun”, tha drejtori i Urbanistikës në Bashkinë Tiranë.

Top Channel