
Në Angli janë të sigurtë: Mesut Ozil nuk do të qëndrojë më tek Arsenali. Sipas medias britanike, mesfushori i talentuar gjerman, që është drejt skadencës së kontratës me “topçinjtë” e Londrës, ka vendosur që të mos e rinovojë atë.
Sipas të përditshmes “Daily Mirror”, Ozil i ka refuzuar të gjitha ofertat e ardhura nga Arsenali për zgjatjen e kontratës, e kjo bëri që drejtuesit e klubit londinez të vendosin futbollistin në merkaton e janarit për të mos e humbur me parametra zero në fund të sezonit.
Një lajm ky që gëzon të gjitha skuadrat që pretendojnë shërbimet e mesfushorit të talentuar të përfaqësueses gjermane, mes të cilave rezulton se figuron edhe Interi.
Karakteristikat e Ozil janë ato që kërkohen nga trajneri Spalletti dhe, duke parë konkurrencën e fortë për të, milanezëve u duhet me çdo kusht të paraprijnë lëvizjet e tyre. Me pak fjalë, për Interin është e vështirë të kërkojë lojtarin me parametra zero, pasi do t’i duhet t’i ofrojë atij një pagë më të lartë.
Drejtori sportiv i Interit, Ausilio e ka mohuar mundësinë e kësaj lëvizjeje nga zikaltrit, megjithatë kjo situatë e krijuar do të jetë e vështirë që të injorohet nga drejtuesit e Interit.
Top Channel