Nis ndërtimi i rrugëve të Ndroqit, Veliaj: Urbanizim të zonave rurale

03/10/2017 00:00

Pas rikonstruksionit të rrjetit të ujësjellësit dhe urës së Mënikut, Bashkia e Tiranës po vijon punën për ndërtimin e rrugëve të brendshme të fshatit Ndroq. Investimi lehtëson jo vetëm lëvizjen e automjeteve, por do të afrojë edhe më shumë banorët që tregtojnë produktet bujqësore të zonës në tregjet e Tiranës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet për ndërtimin e katër rrugëve të reja dhe theksoi se investimet do të shtrihen në nivel kapilar në çdo zonë të kryeqytetit.

“Filluam fillimisht me ndërhyrjet në rrjetin e ujësjellësit, pastaj vijuam me disa investime bazë, për të lidhur komunitetet me njëri-tjetrin në dy anët e lumit, si ura e Mënikut, të cilën shumë shpejt do e hapim për qytetarët. Tani jemi futur në nivel kapilar në katër “damarët” kryesorë të Ndroqit. Katër damarë që janë rrugë dhe përfaqësojnë katër lagje, që besoj në fund të kësaj vere do të shijojnë frytet e këtij investimi”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku deklaroi se krahas përmirësimit të infrastrukturës në qendër, vëmendja po i kushtohet urbanizimit të zonave rurale, duke ruajtur të njëjtën cilësi të punimeve.

Veliaj siguroi se në dy vitet në vazhdim do të marrë zgjidhje problemi i ndërtimit dhe i asfaltimit të rrugëve në kryeqytet, duke lehtësuar në këtë mënyrë edhe shkëmbimin e mallrave të zonës.

Kryebashkiaku deklaroi se investimet e realizuara nga Bashkia e Tiranës i japin zgjidhje edhe rritjes së numrit të banorëve në vitet e ardhshme, duke krijuar të gjithë infrastrukturën e nevojshme për të jetuar dhe në zonat rurale.

Top Channel