Lezhë, rihapet gjimnazi i Torovicës

03/10/2017 00:00

Dyert e gjimnazit të Torovicës, në Lezhë, u rihapën pas shumë kohësh. Tashmë nxënësve nuk do t’u duhet të shkojnë larg për të vazhduar shkollën.

Klasa e vitit të parë që u hap si fillim zgjidh edhe një problem social, pasi 15 vajza të zonës rrezikonin të mos ndiqnin më shkollën. Prindërit e tyre nuk i lejonin të shkonin në shkollat e fshatrave të tjerë.

“Është bërë diçka shumë e mirë për banorët, për fëmijët sidomos. Një nga të mirat e kësaj shkolle është së pari ekonomia. Bileta vetëm vajtje nga Torovica deri këtu është 2 mijë lekë. Çdo nxënës do harxhonte për 20 ditë 40 mijë lekë, plus shpenzime të tjera. Pra, familjeve të Torovicës u mbeten 80 mijë lekë të vjetra në buxhetin e tyre”, deklaron Bardhok Pulaj, drejtor i Arsimit Lezhë.

Të paktën 28 nxënës janë regjistruar në vitin e parë. “Interesi i fëmijëve ka qenë shumë i madh. Kam pritur në zyrë një përfaqësi të nxënësve dhe ata ishin shumë të interesuar, sidomos vajzat, për shkak të dukurive sociale këtu, siç është martesa në moshë të vogël të tyre për shkak se nuk ndiqnin dot shkollën e mesme”, thotë Pulaj.

Torovica nuk kishte një institucion arsimi të mesëm që prej viteve ’90, kur shkolla e mesme bujqësore asokohe u mbyll por nuk u shndërrua në gjimnaz.

Top Channel