Efekti i reformës në drejtësi. Gjykata e Lartë heq dorë nga dosjet e politikës

03/10/2017 00:00

Reforma në drejtësi fillon e jep efektet e para direkte në sistem.

Gjykata e Lartë ka filluar t’i japë lamtumirën gjyqeve për dosjet që ka nën gjykim për deputetë dhe ish-deputetë të cilët janë gjykuar për vite të tëra pranë kësaj gjykate si shkallë e parë. Dosja e radhës për të cilën Kolegji Penal shpalli moskompetencën është ajo kundër ish-deputetit Alfred Peza që, sipas legjislacionit të mëparshëm, për shkak të cilësive të tij, gjykohej në cilësinë e shkallës së parë.

Çështja “Peza”, si edhe ajo kundër ish-deputetit demokrat Astrit Veliaj janë deleguar pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda. Kjo gjykatë do të jetë kompetente të shqyrtojë dosjet për personat që gjykoheshin në juridiksion fillestar në Gjykatën e Lartë derisa të ngrihet Gjykata kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Burimet nga Gjykata e Lartë i thanë Top Channel se shpejt pritet që të shpallet moskompetenca edhe për dy dosje të tjera me të akuzuar deputetin Tom Doshi.

Gjykata e Lartë ka gjykuar në 35 raste deputetë, kryeministra e ish-kryeministra, por kryesisht për akuza për shpifje kundër njëri-tjetrit, pjesa dërrmuese e të cilave janë pushuar jo vetëm për shkak të paqes mes palëve, por edhe për mosvërtetim të akuzës. Në historinë e saj, për korrupsion në juridiksion fillestar, gjykatësit e lartë kanë dënuar si për ironi vetëm një ish-kolege të tyre, gjyqtaren Majlinda Andrea.

Top Channel