
Skënderbeu ka dalë triumfues nga supersfida e javës së katërt në Kategorinë Superiore, duke mposhtur 1-2 kampionët në fuqi të Kukësit, në një sfidë të vendosur nga dy 11-metërsha.
I pari që kaloi në avantazh ishte ekipi korçar me anë të Bruno Ditës, në minutën e 30, por reagimi i kuksianëve nuk mungoi dhe pas vetëm 6 minutash rezultati u kthye në barazpeshë. Elis Bakaj ishte ai që fitoi 11-metërshin e parë të takimit, për ta ekzekutuar vet ai.
Me këtë rezultat ekipet iu drejtuan dhomave të zhveshjes, ndërsa i dyluftuar ishte edhe 45-minutëshi i dytë, gjatë të cilit ishte sërish një 11-metërsh i fituar nga Muzaka, ai që bëri diferencën. Penalltinë e mori përsipër ta ekzekutonte Sabien Lilaj, i cili nuk gaboi.
Me këtë fitore, Skënderbeu shkëputet i vetëm në krye të renditjes së Superiores, me 10 pikë, i ndjekur nga Kukësi, Flamurtari e Teuta, me nga 7 pikë secila. Pasditen e sotme do të zhvillohet edhe sfida e mbetur e javës së katërt, ajo mes Partizanit e Lushnjes, në impiantin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit.
Top Channel