
Pavarësisht se Kombëtarja do të luajë ndaj Spanjës dhe Italisë në dy ndeshjet e fundit eliminatore në grup, Armando Sadiku shprehet optimist, duke thënë se ndaj skuadrave të mëdha Kombëtarja luan më mirë.
TCH: Sa mundësi kemi ndaj Spanjës, por edhe ndaj Italisë?
Armando Sadiku: Janë ndeshje shumë të rëndësishme, por edhe të bukura për gjithsecilin prej nesh që t’i luajmë, pasi janë kundërshtarë shumë të fortë. Sot nisim ditën e parë të grumbullimit dhe i përgatisim në mënyrën më të mirë të mundshme për këto ndeshje, do i marrim shumë me gëzim.
TCH: Në çfarë gjendje fizike jeni? Si ju ka shkuar kampionati deri tani?
Armando Sadiku: Ka qenë pak i ngjeshur, si kampionati ashtu edhe Kupa e Polonisë, por edhe eliminatoret që kemi bërë për Champions, si dhe Europa League. Tani jam në formën më të mirë dhe për këtë jam i gëzuar.
TCH: Nëse do të kishit mundësi zgjedhje për të dyja ndeshjet, Spanjën apo Italinë?
Armando Sadiku: Sigurisht që do të më pëlqente të isha në fushë në të dyja ndeshjet, por këtë e vendos trajneri dhe unë do të jem i gatshëm për zgjedhjet e tij. Do të jap më të mirën time siç kam bërë gjithmonë me Kombëtaren.
TCH: Mendon se mund të marrim pikë në dy ndeshjet e mbetura?
Armando Sadiku: Ne e kemi treguar veten gjithmonë me ekipe të mëdha dhe shpresat ekzistojnë edhe këtë herë. Të luajmë të bashkuar dhe të tre rezultatet janë të mundur. E kemi treguar veten që me ekipet e forta luajmë më mirë, motivohemi më shumë.
Top Channel