Katalunja do të shpallë pavarësinë. 90% e votave, pro ndarjes

02/10/2017 08:10

Me votën e tyre, katalanasit e fituan të drejtën e shkëputjes nga Spanja, duke e zhytur vendin në krizën më të rëndë kushtetuese prej dekadash të tëra. Udhëheqësi i rajonit të pasur separatist, Carles Puigdemont deklaroi se refendumi i së dielës, i shenjuar nga dhuna, i hapi dyert shpalljes së njëanshme të pavarësisë.

“Me këtë ditë shprese dhe vuajtjeje, qytetarët e Katalunjës fituan të drejtën e një shteti të pavarur dhe të krijimit të Republikës. Në ditët e ardhshme, qeveria ime do t’ia çojë rezultatin e votimit Parlamentit katalanas, ku qëndron sovraniteti i popullit tonë, në mënyrë që ai të veprojë në përputhje me ligjin e referendumit”, tha Carles Puigdemont, president i Katalunjës.

“Bashkimi Europian nuk mundet të heqë më sytë e të shohë nga ana tjetër”, shtoi Puigdemont, ndërsa kërkoi hapa ligjorë kundër qeverisë në Madrid, e cila duhet të përgjigjet sipas tij për dhunën e së dielës.

Zyrtarët vendas deklaruan më vonë se 90% e atyre që dolën në votim i thanë “po” mëvetësisë, ndërsa pjesëmarrja llogaritet në nivelin 42.3%. Turma të mëdha mbështetësish të largimit u mblodhën mbrëmjen e së dielës në kryeqendrën e rajonit, Barcelonë, duke valëvitur flamuj e duke kënduar himnin katalanas.

Në të njëjtin qytet dhe në pjesë të tjera të Spanjës u mbajtën gjithashtu edhe tubime kundër shkëputjes. Madridi zyrtar nuk e njeh nismën e udhëheqësve rajonalë për krijimin e një kombi më vete.

Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy u shpreh në përfundim të referendumit se katalanasit u “gënjyen” të merrnin pjesë në një votim të paligjshëm, një “tallje” të demokracisë, siç e quajti ai.

“Nuk mund t’iu them më shumë sesa ajo që patë vet gjatë të gjithë ditës. Në Katalunjë nuk ka pasur asnjë referendum vetëpërcaktues”, tha Rajoy.

Plot 800 vetë u plagosën, sipas zyrtarëve rajonalë, në kaosin e krijuar prej ndërhyrjeve të policisë, që kishte marrë detyrën të bllokonte procesin. Një pjesë e tyre, megjithatë, nuk kanë veçse lëndime të lehta.

Të plagosur kanë mbetur edhe 12 efektivë policie, ndërsa 3 persona janë arrestuar. Në Katalunjë ishin dërguar njësi të policisë kombëtare dhe Gardës Civile. Nën kontrollin e Madridit ishte vendosur edhe policia vendase, “Mossos d’Esquadra”, por dëshmitarët okularë tregojnë se efektivët e saj nuk kanë përdorur forcë mbi protestuesit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA