Grumbullohet për herë të parë, Ndoj: I gatshëm për Panucci-n

02/10/2017 00:00

Përveç rikthimeve të Xhakës, Cikalleshit, Lenjatit dhe Kaçes, trajneri i Kombëtares Panucci ka ftuar për herë të parë edhe mesfushorin e Breshias, Emanuele Ndoj.

Në një intervistë për Top Channel, lojtari 20-vjeçar është shprehur i emocionuar për ftesën e marrë për dy ndeshjet e radhës me Kombëtaren ndaj Spanjës dhe Italisë, ndërsa thotë se është i gatshëm në çdo moment për të dhënë më të mirën e tij për kuqezinjtë.

TCH: Ndoj, si u ndjeve kur të erdhi ftesa për t’u grumbulluar nga Kombëtarja?

Emanuele Ndoj: Jam shumë i kënaqur. Nuk e mendoja se do të merrja një ftesë në këto momente nga Panucci.

TCH: A shpreson të jesh pjesë e formacionit në këto dy ndeshje, duke qenë se ka shumë mungesa lojtarësh?

Ndoj: Unë jam i gatshëm për Kombëtaren nëse trajneri do të vendosi të më aktivizojë. Por jam i ndërgjegjshëm dhe jam i ri, pres momentin tim.

TCH: A ju ka takuar ndonjëherë trajneri?

Ndoj: Trajneri Panucci erdhi për të më vëzhguar në ndeshjen që ne kishim me Ternanën, por për fat të keq ai takim u shty për shkak të reshjeve të shiut.

TCH: Në çfarë roli do të preferonit të aktivizoheni në Kombëtare?

Ndoj: Roli im është mesfushor dhe jam i gatshëm nëse trajneri do të vendosi të më aktivizojë, nëse jo nuk ka asnjë problem pasi jam i ri dhe pres momentin tim.

TCH: Mos do të ishte më mirë të vazhdoje të grumbulloheshe nga ekipi Shpresa, apo më mirë me skuadrën e parë.

Ndoj: Normal që në Kombëtare është shumë më mirë, një mundësi më shumë për mua.

TCH: Do të preferoje të ishe në fushë ndaj Spanjës apo ndaj Italisë?

Ndoj: Nuk kam preferenca, atë e di trajneri.

Top Channel