Fundjava italiane e kuqezinjve. Berisha anti-Dybala…Memushaj, traversë

02/10/2017 00:00

I zhbilancuar dhe jo me përgatitjen e duhur fizike u shfaq Etrit Berisha në të dyja golat e pësuar nga Juventusi, megjithatë, një pritje në fundin e ndeshjes e ktheu atë në heroin e vërtetë të atij barazimi të vyer në Bergamo ndaj “Zonjës së vjetër”.

I priti një 11-metërsh as më pak e as më shumë, por Paulo Dybala, pas një penalltie të akorduar në mënyrë të dyshimtë edhe pas verifikimit të pamjeve nga sistemi VAR (video assistant referee). E për këtë sukses, Berisha është vlerësuar me notën 6.5, teksa regjistroi edhe 6 pritje nga 13 gjuajtje në katërkëndëshin e mbrojtur prej tij.

Ai tjetër është koleg shumë i mirë, por edhe rival i denjë për katërkëndëshin e kuqezinjve të Shqipërisë. Bëhet fjalë për Strakoshën, i vlerësuar edhe ai me notën 6.5, edhe pse me ndërhyrjet e tij këtë herë ka rezultuar më pak vendimtar sesa herët e tjera. Kujtojmë se Lacio fitoi 6-1 me Sassuolon, e rezultati flet për një ndeshje pa shumë impenjime.

Me të njëjtën notë është vlerësuar edhe Arlind Ajeti, i cili zhvilloi një ndeshje të mirë me Crotonen, por që gjithsesi për pak desh u “kryqëzua” për shkak të një autogoli të mundshëm. Tashmë vëmendja e tij do të jetë e përqëndruar te ndeshjet e Shqipërisë me Spanjën dhe Italinë, nën urdhrat e një tjetër italiani, Panucci.

Me notat 6 janë vlerësuar dy kuqezinjtë e tjerë, që aktivizohen me debutuesit e Serie A, Beneventon, pas sfidës së humbur 1-2 përballë Interit. Si Gjimshiti në mbrojtje, edhe Memushaj në mesfushë, rezultojnë mes më të mirëve të skuadrës së tyre. Për Gjimshitin thuren më shumë lavde, pasi me shtatlartësinë e tij duket se i bëri ballë mirë një sulmuesi të rrezikshëm si Icardi. Por, ai që pati fatin të shënonte emrin “me gërma të arta” të paktën për një ndeshje ishte Lediani, me traversën e goditur, ndërsa fitoi disa dyluftime në mesfushë.

Top Channel