Ferrari, Marchionne: Fatkeqësi, ishin gara për fitore të dyfishta

02/10/2017 00:00

Shefi ekzekutiv i Ferrarit, Sergio Marchionne preferon ta shohë gotën gjysmë plot pas dy garave të fundit të Formulës 1, që në fakt mund t’i kushtojnë shtrenjtë “kokëkuqes”.

“Shfaqja e të tilla problemeve përpara garës të bën të ndihesh keq, ndërsa tërheqja e njëvendëshes nga pozicionet e nisjes është për të shkulur flokët. Megjithatë, pa ndërhyrjet e jashtme, dy makinat tona do të renditeshin në dy vendet e para të këtij Çmimi të Madh (Malajzi), e kjo gjë më duket shumë pozitive”, është shprehur ai.

“Fakti që në Sepang dy makinat Ferrari mund të mposhtnin këdo është i pakundërshtueshëm, e që mund ta bënin të njëjtën gjë edhe në Singapor është gjithashtu i padiskutueshëm”, shton Marchionne.

Por pse lindën gjithë këto probleme në momentin më kulmor të sezonit?

“Fakti që kemi pasur probleme teknike me dy motorët ka të bëjë me dy gjëra. Së pari bëhet fjalë për një skuderi tepër të re, ndaj dhe po mëson ende sesi t’i menaxhojë gjërat, e së dyti jemi bërë më të vetëdijshëm mbi cilësinë e komponenteve. Kjo pasi pjesa e përdorur nga ne nuk ishte e cilësisë së duhur për të mbrojtur makinën gjatë garave. Është si të kemi marrë një shkelm nga pas”, deklaroi me nota humori Marchionne.

Top Channel