Cikalleshi: Spanjën e mundi Gjeorgjia, ta provojmë edhe ne

02/10/2017 00:00

Cikalleshi rikthehet në Kombëtare pas  zhurmës së krijuar para dy ndeshjeve të shkuara, duke premtuar tashmë se gjithçka i përket të shkuarës dhe se do të japë më të mirën në vazhdim me kuqezinjtë.

Edhe për Cikalleshin, Kombëtarja ka shpresa ndaj Spanjës, teksa ai përmend se ata janë mundur një vit më parë nga Gjeorgjia dhe sulmuesi shpreson se të njëjtën gjë mund ta bëjë edhe Kombëtarja kuqezi.

TCH: Riktheheni në Kombëtare pasi bëtë shumë zhurmë në grumbullimin e shkuar. Mund të na tregoni si është situata juaj tani?

Sokol Cikalleshi: Gjithçka tashmë është qetësuar dhe e gjitha i mbetet të shkuarës. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e grumbullimit dhe shpresoj që të bëjë më të mirën. Kthehem pasi një suksesi me skuadrën time ku edhe shënova.

TCH: A ndjeni ndonjë pendesë për atë që ndodhi në grumbullimin e parë me trajnerin e ri?

Sokol Cikalleshi: Nuk do të doja të ndodhte asnjëherë, por edhe këto situata janë pjesë të jetës dhe futbollit, por e rëndësishme është që tashmë është kaluar.

TCH: Cili ka qenë momenti që trajneri ju ka kontaktuar sërish?

Sokol Cikalleshi: Unë e mora sinjalin që atëherë që bëhej fjalë për një pezullim vetëm për ato dy ndeshje. Ishte një keqkuptim dhe i përket të shkuarës. Komunikim të drejtpërdrejtë me trajnerin nuk kam pasur, por e rëndësishme është ftesa. Disiplina është pjesë e profesionit tonë dhe ashtu duhet të jemi. Çdo gjë në të mirë të Kombëtares duhet të zbatohet.

TCH: Si është gjendja juaj tashmë që riktheheni në Kombëtare për dy ndeshjet e fundit të eliminatoreve?

Sokol Cikalleshi: Fjalët janë të tepërta për Spanjën dhe Italinë, por unë e kam thënë që nëse do të bëjmë diçka në këto ndeshje do të ishte madhështore. Një vit më parë, Spanja është mundur në shtëpi nga Gjeorgjia dhe kjo tregon se edhe ata gabojnë edhe pse ishte ndeshje miqësore. Uroj që edhe kjo e jona të jetë e rrallë për Spanjën. Futbollit asnjëherë nuk i dihet.

TCH: A jeni i kënaqur me ndryshimin e skuadrës në Turqi?

Sokol Cikalleshi: Skuadra ndryshoj trajner një javë më parë dhe ai më ftoi në zyrën e tij menjëherë sapo erdhi duke më thënë se kishte besim tek mua. Klubi ka bërë transferta të mëdha dhe tashmë presim rezultatet. Në ndeshjen e fundit jam i kënaqur për golin, por më shumë për suksesin 3-0 të skuadrës time. Tashmë duhet të rikuperojmë pikët në vazhdim të kampionatin.

TCH: A është diskutuar edhe në Turqi problemi juaj me trajnerin Panucci?

Sokol Cikalleshi: Kur unë shkova te skuadra e re, ja bërë të ditur klubit se si ishte situata pasi doja që ata të dinin gjithçka dhe për këtë më mirëkuptuan.

Top Channel