Bayerni në krizë, situata “e panjohur” e bavarezëve

02/10/2017 00:00

Bayern Munchen e përjeton pauzën e kampionatit mes tensioneve më të larta të shfaqura ndonjëherë në këtë klub për gjigandët e futbollit gjerman.

Skuadra bavareze mbylli një javë të errët që u shoqërua me humbjen 3-0 ndaj Paris Saint Germain dhe shkarkimin e trajnerit Ancelotti. Situata vazhdoi të ishte e nderë edhe pas ndeshjes me Hertha Berlin ku Bayerni pa të binte poshtë avantazhi 2-0 për të mbyllur këtë sfidë me barazimin 2-2 për ta çuar në 3 numrin e ndeshjeve radhazi pa fitore.

“Nuk jemi më skuadra më e fortë në Gjermani”, tha drejtori sportiv i Bayernit, Hasan Salihamidzic pas përballjes me berlinezët.

Herën e fundit që një drejtues i këtij klubi ka thënë një frazë të tillë ka qenë në vitin 2012 me Karl Heinz Rummenigge pas humbjes 5-2 ndaj Borussia Dortmund në finalen e Kupës së Gjermanisë. Në të kohë Rummenigge theksoi se në vend ishte një ekip tjetër superior ndaj Bayernit dhe se ajo që duhet të bënte klubi ishte të pranonte disfatat dhe të korrigjonte sa më shpejt gabimet.

Top Channel