Argjentina s’ka vend për Higuain, grumbullohen Icardi, Dybala, Gomez

02/10/2017 00:00

Gonzalo Higuain u rikthye të shënojë me fanelën e Juventusit me dy gola në dy ndeshjet e fundit në Champions dhe në Serie A. Por bomberi latin ende nuk ka arritur të bindë trajnerin e kombëtares argjentinase Horge Sampaolo që ta përfshijë në grumbullimin e “Selesion” për eliminatoret e botërorit 2018.

Mauro Icardi është kthyer në një siguri në përfaqësuesen e vendit latin ndërsa mes emrave janë dhe talenti i Juventusit Paulo Dybala, si dhe sulmuesi i Atalantës Papu Gomez. Trajneri i Argjentinës ka insistuar edhe për një tjetër risi si Fernando Gago, duke rikthyer mesfushorin me fanelën e kombëtares, aty ku gjen Messi, Romero, dhe Banega mes të tjerëve.

Argjentina do të përballet me Perunë të premten e 6 tetorit në një ndeshje që vendos shumë mbi fatet e kualifikimit në botërorin 2018. Të dy kombëtaret duhet të fitojnë 90 minutëshin për të patur mundësinë të jenë në 4 vendet që garantojnë aksesin automatik në Kupën e Botës.

Aktualisht, Argjentina është në vendin e pestë me 24 pikë dhe në barazpeshë me Perunë, por poshtë rivalëve për numrin e sfidave të fituara. Grupi i Amerikës Latine kryesohet nga Brazili tashmë i kualifikuar me 37 pikë.

Top Channel