LSI, Vasili thirrje SHBA dhe BE: Mbroni vettingun nga qeveria

30/09/2017 00:00

Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili i ka kërkuar ambasadorëve Donald Lu dhe Romana Vllahutin që të mos heshtin, por të shpëtojnë vettingun nga kthetrat e qeverisë.

“Për shkak të frikës së shkollëpakut nga vettingu, qeveria e tij e vogël futi duart e mëdha te vettingu. Qeveria tashmë i kontrollon strukturat e vettingut, u jep personel dhe para aq sa do ajo dhe me anë të Ministrisë së Drejtësisë u administron investimet dhe informacionet. Pra, u kontrollon gjithçka”, ka deklaruar Vasili.

Në cilësinë e anëtarit të komisionit të reformës në drejtësi, Vasili u ka kujtuar dy diplomatëve se e votoi vettingun në atë kohë vetëm pasi besoi totalisht në garancitë e plota të tyre dhe vendeve që përfaqësojnë.

“Të nderuar Lu dhe Vllahutin, votimi i fundit i dhunshëm i maxhorancës në Parlament për strukturat e vettingut është: 1. falimentimi i një ideje pozitive; 2. perëndimi i një shprese të fundit për një drejtësi të pavarur dhe me integritet; 3. pushtimi prej qeverisë i mundësisë së fundit për ringritjen e shtetit të së drejtës”, ka shtuar Vasili.

Top Channel