Durrës, zjarr në depot e ushtrisë

30/09/2017 00:00

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, një zjarr ka përfshirë depot kryesore të ushtrisë në Shkozet të Durrësit.

Ngjarja është regjistruar rreth orës 01:00, në lagjen 14, te Rezervat e Ushtrisë. Ndonëse një objekt ushtarak i rëndësisë së veçantë, zjarri mësohet se është konstatuar së pari nga një banor i zonës, i cili ka njoftuar rojet e repartit 4006, ku ndodhet grupi i depove të import-eksportit.

Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se zjarri ka rënë në depot e veshmbathjeve të ushtrisë dhe pas shuarjes së flakëve nga zjarrfikëset është bërë dhe largimi i sasive të shpëtuara. Dëmet konsiderohen të mëdha.

Paraprakisht, deklarohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga ndonjë shkëndijë elektrike në depo.

Hetimet për ngjarjen po bëhen nga policia, por edhe nga vetë ushtria, e cila ka në ruajtje depot ku magazinohen mallrat e kontraktuara siç janë edhe veshmbathjet e reparteve ushtarake.

Top Channel