UT në vend të fundit, e rikonfirmon raporti përfundimtar

29/09/2017 00:00

Agjencia Britanike rikonfirmon rezultatin e raportit paraprak për Universitetin e Tiranës. Institucioni i parë i arsimit të lartë në Shqipëri renditet i fundit në listën e universiteteve publike dhe private, si asnjë institucion tjetër.

Në raportin përfundimtar, që Top Channel e zotëron, rezulton se Universiteti i Tiranës është akredituar për vetëm 1 vit, fakt që dëshmon se objeksionet e bëra nga komisioni i këtij institucioni nuk janë reflektuar në raportin përfundimtar.

Megjithë tentativat e UT-së për t’ju përgjigjur me argumente agjencisë angleze për çdo pikë të evidentuar si dobësi në adresë të tyre, britanikët nuk i kanë marrë parasysh shpjegimet e Universitetit të Tiranës.

Edhe në raportin përfundimtar, nga 5 fushat e vlerësuara nga agjencia britanike, UT nuk përmbush plotësisht asnjë prej tyre. Ai përmbush kryesisht kriteret dhe standardet në 3 fusha: burimet; kurrikulën për studentët; dhe mbështetjen për ta.

Ndërsa në dy fusha, UT i përmbush standardet pjesërisht. Bëhet fjalë për: organizatën dhe drejtimin e saj; dhe mësimdhënien dhe punën kërkimore. Ndërkohë që universitete të tjera, si ai i Mjekësisë dhe Universiteti Fan Noli në Korçë janë akredituar secili me afat maksimal 5 vjet.

Universiteti Bujqësor i Tiranës është akredituar për 4 vjet bashkë me atë të Arteve. Politekniku është akredituar për 3 vjet, njësoj si Universiteti i Sporteve në Tiranë, “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Universiteti i Vlorës dhe ai i Gjirokastrës.

I parafundit në renditjen e agjencisë angleze, duke lënë pas edhe Universitetin e Tiranës është ai i Shkodrës, i akredituar për 2 vjet. Por cilat janë fushat ku universitetet i kanë plotësuar standardet plotësisht, kryesisht dhe pjesërisht?

Universiteti i Mjekësisë përmbush plotësisht standardin e organizatës dhe organizimit të tij; standardin për burimet dhe standardin për studentët dhe mbështetjen e tyre; ndërsa përmbush kryesisht standardin e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor.

Universiteti i Korçës përmbush plotësisht standardin për organizatën dhe drejtimin, standardin për burimet dhe për kurrikulën. Ndërsa Universiteti i Gjirokastrës në fund i përmbush standardet kryesisht, njësoj si ata të Shkodrës, Vlorës, Arteve dhe Sporteve.

Top Channel