Kryeministri grek Alexis Tsipras do të shkojë për një vizitë zyrtare në SHBA në gjysmën e dytë të muajit tetor, pas një ftese nga presidenti amerikan Donald Trump. Lajmi njoftohet nga zyra kryeministrore, sipas së cilës data e mundshme e takimit do të jetë 17 tetori.

Sipas burimeve qeveritare, përgatitja për këtë takim të rëndësishëm të kreut të qeverisë greke është bërë para dy javësh, nga ministri i Politikave Dixhitale dhe Shtypit, Nikos Papas, pas një vizite të tij në Uashington.

Do të jetë hera e parë që të dy udhëheqësit do të kenë mundësinë për të diskutuar në mënyrë të detajuar për çështje të ndryshme. Ata janë takuar njëherë për disa minuta në Samitin e NATO-s në Bruksel, në muajin maj, kur Donald Trump ka shprehur simpatinë e tij për Greqinë dhe ka përgëzuar Tsiprasin për përpjekjet e daljes së vendit nga kriza.

Takimi i tyre zhvillohet në një kohë kur janë të hapura një seri çështjesh me interes të përbashkët, nga ekonomia dhe emigrimi, e deri në zhvillimet në Ballkan dhe në Lindjen e Mesme.

Burime qeveritare thonë se do të bisedohet për krizën e refugjatëve dhe rolin e Turqisë. Në axhendë do të jenë edhe bisedimet për bazën e Sudes në Kretë, që do të shfrytëzohet nga amerikanët edhe për një tjetër vit, pas rinovimit të kontratës nga Pentagoni. Biseda do të fokusohet sidomos te programet e armatimit, si modernizimi i avionëve ushtarakë ekzistues grekë të tipit “F-16” dhe blerja e avionëve të rinj “F-35”.

Kryeministri grek do të shoqërohet për herë të parë në këtë vizitë nga biznesmenë vendas, për të kontaktuar me sipërmarrës amerikanë në një përpjekje për investime të përbashkëta në Greqi.

Top Channel