Man. Utd., edhe Pogba në listën e gjatë të dëmtimeve

29/09/2017 00:00

Paul Pogba iu bashkua listës së gjatë të futbollistëve të dëmtuar te Manchester United, duke shtuar frikën te tifozët dhe stafi teknik, se mesfushori “100-milionësh” nuk do të jetë i gatshëm për të luajtur deri në mes të nëntorit.

“Djajtë e kuq” janë detyruar të bëjnë pa futbollistin transalpin në 4 sfidat e fundit, pasi u dëmtua në Champions League në përballjen ndaj Baselit në “Old Trafford”.

Por klubi anglez duhet ende të vendosë nëse operacioni është zgjidhja më e mirë për Paul Pogba, në një situatë që e ka vendosur trajnerin Mourinho në vështirësi. Zlatan Ibrahimoviç dhe Marcos Rojo janë gjithashtu pa një datë të saktë rikthimi.

“Pogba është i dëmtuar dhe nuk do të luajë këtë të shtunë. Është një lojtar që nuk shpresoj ta shoh shpejt në stërvitje, pasi janë dëmtime afatgjata, si Ibra apo Rojo. Nga të gjithë lojtarët e padisponueshëm, shpresoj që të rikuperojmë ndonjë në fund, dikë që nuk ka luajtur në Moskë”, tha trajneri Mourinho.

Sipas medieve angleze, Paul Pogba do të humbë edhe betejën për titullin, në transfertën e Londrës ndaj Chelseat më 5 nëntor, e rikthimi i tij do të jetë më 18 nëntor në “Old Trafford” kundër Newcastle.

Top Channel