
Ndërsa kanë mbetur edhe 2 ndeshje nga mbyllja e eliminatoreve për Kupën e Botës “Rusi 2018”, Kosova ka vetëm 1 pikë të marrë në sfidën e parë të këtij kompeticioni në transfertë ndaj Finlandës.
Dy rivalët e radhës, Ukraina dhe Islanda, janë ende në garë për të siguruar kualifikimin çka e bën angazhimin e tyre ndaj Kosovës edhe më serioz, duke e vështirësuar së tepërmi objektivin e kombëtares së re për mos ta mbyllur me vetëm 1 pikë paraqitjen e parë në një kompeticion kaq të rëndësishëm.
Por pavarësisht rezultateve në dy ndeshjet e ardhshme, Kosova, matematikisht i mbyll këto eliminatore në vendin e fundit. Por kjo nuk e lë pa asnjë objektiv trajnerin Albert Bunjaku, i cili në këto dy ndeshje do të ketë mundësi që të provojë më tepër lojtarë të rinj, për të nisur kështu përgatitjet për të ardhmen.
Në listën e publikuar nga Bunjaku vërehet emri i Visar Bekajt, gardianit të kryeqytetasve të Prishtinës që thirret për herë të parë në kombëtaren Kosovare, rigrumbullimi i Elbasan Rashanit dhe Bersant Celinës.
Ndryshe nga grumbullimet e kaluar, një tjetër detaj i rëndësishëm në listën e Bunjakut është fakti se ka një numër rekord të lojtarëve të ftuar nga kampionati shqiptar dhe ai kosovar, si Bekaj, Hajdini, Musolli, Aliti dhe Jashanica.
Top Channel