Ancelotti, nga Italia…deri te ish-skuadrat e tij

29/09/2017 00:00

Shkarkimi i bujshëm i Carlo Ancelottit u ka dhënë një mesazh të qartë edhe senatorëve të skuadrës, se askush nuk është i paprekshëm, kur tronditen pozitat e një rekordmeni si trajneri italian.

Por nëse Bayern Munchen zgjodhi Willy Sagnol deri në një emër të saktë për pankinën, tekniku nga Apeninet ende nuk ka vendosur se cfarë do të bëjë me sezonin e mbyllur në mes, e si mos më keq.

Ka nga ata që vënë bast se Carlo Ancelotti do të qëndrojë pushim deri në maj të vitit 2018, me një bonus të majmë nga kampionët e Gjermanisë, që i japin luksin të jetë i papunë edhe për pjesën e mbetur të jetës.

Por “Carletto” ka që tani në tavolinë disa oferta që po e tundojnë, pas plot 25 vitesh si profesionist në pankinë. Që nga roli i tij si zëvendës i Sacchit në vitin 1992, e deri te shkarkimi nga Bayern Munchen, Ancelotti numëron 20 trofe të fituara, mes të cilave dhe 3 Champions.

Ai është nën objektivin e Federatës italiane të Futbollit (FIGC) për ta vendosur trajner të kombëtares pas Botërorit 2018, por në stol e do edhe përfaqësuesja angleze, aktualisht në duart e Southgate. “Tre luanët” kërkojnë Ancelottin pas verës ruse, që nuk dihet sesi do të shkojë, edhe pse nuk kanë pritshmëri të mëdha.

Milani do të vinte bast menjëherë, nëse Ancelotti bindet të rikthehet në Serie A, ashtu si Ëest Ham në Angli, apo Paris St. Germain në Francë, pas paqes me sheikun Al-Khelaifi. Opsion tjetër është edhe Roma, ëndërr reciproke e klubit dhe trajnerit, por pa një datë bashkimi.

Top Channel