Urdhri liçencon 164 psikologë

28/09/2017 00:00

Besian Frroku është diplomuar në dy ciklet e studimit për Psikologji dhe punon prej vitesh në sistemin e drejtësisë në këtë profil.

Por megjithëse i punësuar, thotë se mungesa e liçencës së profesionit e ka penalizuar në punën e tij të përditshme.

“Kam rreth 7 vjet që ushtroj këtë profesion pranë Gjykatës së Lezhës, por shumë herë, duke mos qenë i liçencuar jemi përjashtuar nga seancat gjyqësore”, thotë Frroku.

Urdhri i Psikologut liçencoi 164 psikologët e parë shqiptarë, mes të cilëve edhe Besian Frroku. Kryetarja e Urdhrit thotë se ky është një moment i rëndësishëm për rolin e psikologut në Shqipëri. Por duhet bërë një dallim mes psikologëve dhe atyre që nuk e kanë këtë titull sipas ligjit.

“Në këtë mënyrë do të bëhet një ndarje e profesionistëve me ata që deri më sot kanë ushtruar profesionin por pa qenë realisht profesionistë të fushës. Kemi ngritur një bazë të dhënash për psikologët e anëtarësuar pranë Urdhrit në të gjithë Shqipërinë. Sa më i specializuar të jetë psikologu i fushës që prononcohet për një media, aq më e thjeshtë është që ky shërbim të shkojë në të mirë të qytetarëve”, thotë Valbona Treska.

Çfarë kriteresh duhet të plotësojnë psikologët për të marrë liçencë?

“Dy ciklet e studimit në Psikologji, një vit eksperiencë pune. Grupi i psikologëve të diplomuar pas majit 2016 duhet të ketë një vit stazh dhe në momentin që liçencohen duhet të ruajnë liçencën në bazë të krediteve që merr”, saktëson Treska.

Top Channel