Raporti i OSBE, Basha: Konfirmon se vota u deformua

28/09/2017 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar përmes një deklarate të shpërndarë nga zyra e shtypit për raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 qershorit.

Basha thotë se ky raport konfirmon se në këto zgjedhje vota e qytetarëve u kërcënua, dhunua dhe u ble.

“OSBE pohon se zgjedhjet u zhvilluan në një klimë të mungesës së thellë besimit të qytetarëve tek procesi zgjedhor dhe mbajtja e zgjedhjeve të ndërshme dhe liria”, thotë Basha.

Basha thotë se raporti thekson në mënyrë të veçantë marrjen e masave urgjente për ndalimin e shit-blerjes së votës, financimin kriminal të zgjedhjeve dhe presionit ndaj administratës e përdorimin e burimeve publike në proces.

“Të dhënat që ofron raporti tregojnë se praktikisht votimi është shtrembëruar në mënyrë të ndjeshme; mosrespektim të rregullave për votimin e ndihmuar, që shpeshherë u bë nga të njejtët persona për shumë individë të ndryshëm që kërkuan ndihmë për të votuar; ndërhyrje nga aktivistë partiakë. Raporti thekson se votuesit u trembën dhe u kërcënuan nga grupe aktivistësh të vendosur pranë apo përreth qëndrave të votimit”, thuhet më tej në deklaratë.

Sipas Bashës,OSBE nxjerr në pah se mbulimi mediatik ka favorizuar PS-në.

 “Jo vetëm që koha televizive ka qenë në favor të PS-së, në disa media kombëtare i është dhënë PS gati dy herë më shumë kohë se PD-së, por PS është përcjellë pothuajse gjithmonë pozitivisht, ndërsa opozita është përcjellë me tone negative dhe kritike nga mediat kryesore”, deklaron Basha.

Top Channel