
Pas shumë javësh spekulimesh, tifozët e Barcelonës mund të marrin frymë lirisht.
Andres Iniesa është shumë pranë rinovimit të kontratës me klubin katalanas, teksa mësohet se bisedimet mes tij dhe drejtuesve të nënkampionëve të Spanjës kanë avancuar ndjeshëm. Vetë kapiteni i Barcelonës foli për lajme të mira në horizont në lidhje me këtë çështje pas përfundimit të ndeshjes me Sportingun në Ligën e Kampioneve, që Barcelona e fitoi 1-0.
“Shumë shpejt do të vijnë edhe lajmet e mira për rinovimin”, tha Iniesta, i cili më pas e përqendroi vëmendjen tek sfida në Lisbonë.
“Është Liga e Kampioneve dhe ndeshjet në transfertë janë gjithnjë të vështira. Kjo me Sportingun ishte një shembull i mirë. Sportingu ka në përbërje lojtarë të mirë në mesfushë, ndërkohë që edhe sulmi nuk mbetet prapa. Mund të them që bëmë një lojë relativisht të mirë”, tha mesfushori.
Barcelona i ka bërë një start perfekt sezonit, teksa në kampionat dhe Ligën e Kampioneve ka regjistruar 8 fitore në po kaq ndeshje të luajtura.
Top Channel