
Massimilliano Allegri do të ushtrojë profesionin e trajnerit të paktën edhe për 5-6 vjet të tjerë. Është vetë tekniku i Juventusit që konfirmoi gjithçka në një intervistë për revistën GQ Italia, në numrin e muajit tetor.
“Për sa kohë që argëtohem teksa shkoj drejt fushave të lojës dhe të përgatis futbollistët, unë do të vazhdoj të ushtroj profesionin e trajnerit”, tha Allegri. “Por në momentin që kjo nuk do të ndodhë më do të tërhiqem dhe çështja është e zgjidhur. Më pëlqen të shoh lojtarët që përmirësohen vazhdimisht, më pëlqen që t;u jap të rinjve mundësinë e debutimit në skuadër e t’i shoh ata të bëhen të rëndësishëm”.
Ndërkaq, emri i Massimilliano Allegrit, në të ardhmen mund të lidhet me atë të Kombëtares italiane dhe trajneri livornez nuk e fsheh kënaqësinë që ndjen. “Kombëtarja është një motiv krenarie dhe mua më intereson shumë”, vijoi Allegri. “Skuadra e së ardhmes është shumë premtuese. lojtarët e lindur në vitet 1992-2000 janë shumë të mirë”.
Top Channel