
E ardhmja e Edinson Cavanit te Paris St. Germain është vënë në një pikëpyetje të madhe. Tashmë mes tij dhe Neymar nuk ekziston asnjë lloj raporti, pavarësisht tentativave për paqe të bëra nga Dani Alves, Emery, e deri te presidenti Al-Khelaifi.
Sipas asaj që publikohet në medien franceze, “El Matador” po kthehet në një problem për PSG-në, pavarësisht se deri tani në Ligue 1 ka shënuar 9 gola, një mesatare e denjë për një futbollist të një klasi të lartë. Cavani duket se po bën mëkat duke lëshuar hije mbi yllin Neymar, me brazilianin që u largua nga Barcelona pikërisht për t’i shpëtuar ndikimit të Messit dhe për të marrë fluturimin drejt “Topit të Artë”.
Cavani, në këto kushte, mund të jetë një pengesë e madhe drejt arritjes së objektivit, gjë që shtyn drejtuesit e Parisit të mendojnë për ta sakrifikuar sulmuesin uruguajan. Por, për transalpinët nuk do të jetë aspak e lehtë që të gjejnë një skuadër për transferimin e Cavanit. Pengesa kryesore aktualisht është paga që përfiton Cavani te PSG-ja, 12 milionë euro në sezon, shifër që shumë pak klube në kontinentin e vjetër mund ta përballojnë.
Megjithatë, te PSG janë të vendosur që ta nxjerrin Cavanin në merkato dhe tani u duhet të gjejnë se cilat prej skuadrave në kontinentin e vjetër janë gati për ta bërë këtë sforco. Opsionet janë disa: Reali i Madridit, Chelsea, Bayern Munchen, Juventus dhe Napoli.
Top Channel