
Një skandal ka shpërthyer në kampionatin e basketbollit të kolegjeve “NCAA”, në SHBA. Autoritetet amerikane kanë zbuluar një skemë mashtrimi e korrupsioni, ku janë të përfshirë 10 persona, mes të cilëve 4 trajnerë dhe një prej shefave ekzekutivë të “Adidas AG”.
Ndaj tyre janë ngritur tashmë akuzat për marrje ryshfeti, mashtrim dhe konspiracion, në të cilat nuk ka munguar përfshirja edhe e vet basketbollistëve.
Sipas prokurorëve, gjithçka ka rezultuar pas një hetimi të nisur në vitin 2015 mbi “NCAA”-në. Personaliteti më i famshëm që shfaqet mes të akuzuarve është Chuck Person, ish-lojtar i NBA-së, që aktualisht është trajneri i parë i Universitetit Auburn.
Trajnerët e tjerë të përfshirë në këtë skandal janë Anthony Bland i Universitetit të Kalifornisë Jugore, Lamont Evand nga Universiteti i Oklahomës, si dhe Emanuel Richardson i Universitetit të Arizonës. Përsa i përket të akuzuarve të tjerë, njëri prej tyre është James Gatto, drejtor marketingu për basketbollin te “Adidas”, si dhe Rashan Michel, themeluesi i një kompanie për veshjet në Atlanta.
Sipas prokurorëve, Gatto dhe të akuzuarit e tjerë dhanë 100 mijë dollarë nga “Adidas”, e identifikuar si “Kompania 1” për llogari të familjes së një basketbollisti, për të siguruar praninë e tij te skuadra e Universitetit të Kentuckyt, e sponsorizuar pikërisht nga “Adidas”.
Nën akuzën për korrupsion e mashtrim është vënë edhe Munish Sood, si agjenti i Christian Daëkins, me këtë të fundit që nuk bëri asnjë koment pas daljes së tij nga zyrat federale në Manhattan.
Top Channel