Shkencëtarët kanë zbuluar sondën diellore “Parker” në një laborator në Maryland, ku ajo po përgatitet për të bërë një zhytje të paprecedentë në atmosferën e Diellit.

“Ne do të hyjmë në kurorën që mban shumë mistere, të cilat kanë munduar shkencëtarët për dekada e dekada”, shpjegoi shkencëtari Niki Fox.

Sonda do të duhet t’i mbijetojë një temperature ekstremisht të lartë, prej 1.371 gradë Celsius, përplasjeve me pjesëzat supersonike dhe rrezatimit të fuqishëm, ndërsa afrohet deri në 7 milionë km afër Diellit.

Të dhënat që do të sjellë në Tokë, 140 milionë km larg, do të ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë përse atmosfera e Diellit apo kurora është më e nxehtë sesa sipërfaqja e tij. Inxhinierët thonë se duhen bërë ende shumë teste para lançimit të planifikuar për në korrik të vitit 2018.

Misioni i njohur më herët si “Sonda diellore plus” u miratua në vitin 2014. Sonda mori një emër të ri në nder të fizikantit të Universitetit të Chicagos, Eugene Parker, që në vitin 1958 parashikoi me saktësi ekzistencën e erës diellore, një rrymë të vazhdueshme pjesëzash të ngarkuara që dalin nga Dielli dhe përshkojnë sistemin diellor.

Sonda, e dizenjuar dhe ndërtuar në laboratorin e Universitetit “John Hopkins”, do të fluturojë 7 herë rreth Venusit për të hyrë më pas në orbitën e Diellit, në dhjetor të vitit 2024.

NASA po paguan 1.5 miliardë dollarë për ndërtimin dhe lançimin e saj. Sonda mendohet të rrotullohet 24 herë rreth Diellit. Me përmasat e një makine të vogël, ajo do të jetë e pajisur me instrumenta për matjen dhe marrjen e kampionëve nga kurora e Diellit.

Top Channel