
Që tifozët kanë një rol të madh në mbështetjen e skuadrës së tyre, kjo nuk vihet në diskutim, por që të bënin kundërshtarin të kërkonte zëvendësim për shkak të vërshëllimave të shumta, kjo nuk kishte ndodhur ndonjëherë, të paktën në Champions League.
Tifozët e Besiktas në Turqi njihen për mbështetjen e zjarrtë ndaj skuadrës së zemrës dhe këtë gjë e kanë treguar edhe mbrëmjen e kaluar, në fitoren 2-0 ndaj gjermanëve të RB Leipzig.
Sulmuesi Werner është duke kaluar një periudhë të artë në karrierën e tij, si te Leipzig, ashtu edhe te Kombëtarja e Gjermanisë dhe ishte rreziku numër 1 për Besiktasin, por për këtë kanë menduar tifozët turq.
Ishte minuta e 32 e ndeshjes dhe të gjithë u befasuar kur Werner kërkoi zëvendësimin pasi nuk mund të vazhdonte të luante me zhurmën e madhe të krijuar nga vërshëllimat e tifozëve.
“E kisha të pamundur të luaja me atë zhurmë, madje akoma nuk e kam marr veten”, ka thënë sulmuesi pas ndeshjes.
“Është e pamundur të përgatisësh ekipin për një atmosferë të tillë. Kishte një zhurmë shurdhuese dhe në fillim të ndeshjes e kishim mjaft të vështirë”, ka thënë trajneri i gjermanëve.
Besiktas udhëheq grupin me 6 pikë pas dy ndeshjeve në Champions dhe një meritë të madhe në këtë sukses kanë padyshim edhe tifozët.
Top Channel