Dule: Në Himarë po shpronësohen grekët. Kumbaro: Gjithçka brenda rregullave

27/09/2017 00:00

Për të diskutuar mbi planin e zhvillimit të Himarës dhe përplasjen, jo vetëm me një pjesë të banorëve atje, por edhe më Athinën, në Top Story-n e kësaj të mërkure ishte e ftuar ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Vangjel Dule, i cili kundërshton planin dhe ndan qëndrimin e OMONIA-s se ky plan synon shpronësimin e qytetarëve që e identifikojnë veten si grekë, e ndau problematikën në tre aspekte.

“Kemi tre aspekte. Është aspekti i projektit të zhvillimit vendor që u miratua me atë mbledhje problematike dhe nga kendvështrimi administrativ të paligjshme dhe e cila krijon shumë probleme, kemi lotin e dytë të rehabilitimit urban në Himarë dhe së treti është projekti drejtpërdrejtë i Ministrisë së Kulturës për rehabilitimin e fasadave dhe qendrave historike në Vuno, Dhërmi dhe Himarë. Të gjitha këto janë kundërshtuar nga banorët e Himarës, sepse fshehin politikat kontradiktore, selektive dhe klienteliste. Në Himarë ka pasur gjithmonë probleme me identitetin”, deklaroi Dule.

Kreu i PBDNJ-së drejtoi gishin drejtpërdrejtë nga Kryeministri Edi Rama, kur tha se ai “sillet me mentalitet çifligari në Himarë”. Dule tha se plani ka si synim shpronësimin e qytetarëve që e identifikojnë veten si grekë me qëllim zhvendosjen e tyre.

Ministrja e Kulturës kundërshtoi Vangjel Dulen. Mirela Kumbaro tha se plani synon vetëm zhvillimin e zonës dhe po përdoret politikisht. Ajo tha se nuk ka minoritet grek në Himarë.

“Në Himarë nuk ka minoritet grek. Në Himarë ka qytetarë grekë që si gjithë qytetarët shqiptarë i nënshtrohen ligjeve të këtij vendi”, tha ajo.

Ministrja e Kulturës tha se për shpronësimet janë ndjekur të gjitha procedurat dhe pronarët janë dëmshpërblyer.

Top Channel