Diego Costa: Gjithsesi, faleminderit Chelsea!

27/09/2017 00:00

Telenovela mbyllet përfundimisht dhe Diego Costa është zyrtarisht futbollist i Atletico Madrid. Sulmuesi i përfaqësueses spanjolle tashmë ka firmosur kontratën e tij me “Los Colchoneros”, lajm që u konfirmua edhe nga vet Chelsea.

Javën e kaluar, dy klubet arritën akordin për transferimin e Diego Costës në Madrid, ndërkohë që ditën e martë, 28-vjeçari kreu vizitat mjekësore me Atleticon, ku do të nisë të aktivizohet vetëm në janar të vitit 2018.

Në komunikatën për shtyp, Chelsea thekson se e falënderon futbollistin për çfarë dha në fushën e lojës, gjatë qëndrimit të tij te “blutë” e Londrës, dhe i uroi më të mirën, ndërkohë që të njëjtën gjë e bën edhe vet futbollisti në drejtim të skuadrës londineze.

“Disa cikle fillojnë, ndërsa disa të tjerë përfundojnë. Cikli im te Chelsea nisi 3 vite më parë. Ishin 3 vite që nuk do t’i harroj kurrë. Dy tituj në Premier League, një Community Shield, 120 ndeshje, 59 gola e 24 asiste. Pas gjithë këtyre cikli u mbyll, por jo në mënyrën më të mirë të mundshme. Tifozët e mrekullueshëm të Chelseat, shokët e skuadrës dhe personeli klinik, administrativ e logjistik do të jenë gjithnjë në zemrën dhe mendjen time. Do të jem përkrah tyre në çdo moment. Falenderoj Chelsean për gjithçka”, shkruan Diego Costa në profilet e tij në rrjetet sociale.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta