Trajneri i Laçit jep dorëheqjen

26/09/2017 00:00

Nuk vonoi as 3 javë dhe një nga pankinat e kategorisë Superiore ndryshoi në varësi të rezultateve, e para nga shumë stola që kanë nisur të lëkunden për shkak të mospërmbushjes së objektivave.

Stavri Nica dha dorëheqjen nga skuadra e Laçit duke preferuar që të distancohet që herët nga kurbinasit, me shpresën se do të shmangë përkeqësimin e situatës.

Trajneri nga Durrësi që është mjaft i vlerësuar në opinionin sportiv në vendin tonë, kishte paralajmëruar dorëheqjen pas humbjes së thellë 3-0 ndaj kampionëve të Kukësit, por zyrtarizoi vendimin e tij vetëm këtë të martë. Nica bëhet i pari që lë postin e tij për këtë sezon mes klubeve elitaretë futbollit shqiptar.

Laçi ndërkohë nuk ka humbur kohë për të gjetur zëvendësuesin. Vlonjati Gentian Mezani do të drejtojë ekipin kurbinas, një emër që ka patur më parë eksperienca në superiore si drejtimi i Flamurtarit.

Prova e parë e Mezanit do të jetë relativisht e lehtë, kthimi në Kupën e Shqipërisë ndaj Sopotit në një kualifikim të vulosur. Më pas Laçi do të ketë në 30 shtator ndeshjen në shtëpi ndaj Vllaznisë në kampionat.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta