Rrugët e amortizuara, banorët e Shkodrës kërkojnë investime

26/09/2017 00:00

Një nga zonat më problematike sa i përket infrastrukturës në qytetin e Shkodrës vazhdon të mbetet lagjja “Mar Lula”.

Kjo lagje  në periferi të qytetit  ka rreth 20 vite që është krijuar kryesisht me të ardhur nga zonat e thella malore dhe sot numëron rreth 7 mijë banorë.

Pavarësisht shumë premtimeve banorët e kësaj zone vuajnë  nga mungesa e investimeve, sidomos në rrugët e brendshme të lagjes që janë kthyer në gropa uji thuajse të pakalueshme.

Banorët e zonës shprehen të revoltuar për këtë situatë dhe kërkojnë ndërhyrje nga Bashkia, pasi dhe ata janë pjesë e qytetit .

Në ditë reshjesh me shi situata bëhet akoma me e vështirë, sidomos për fëmijët që shkojnë në shkollë, ku kalimi i gropave me ujë është kthyer në makth .

Që nga koha kur është krijuar si lagje nuk është bërë asnjëherë asnjë investim në rrugë dhe kjo i bën akoma më shumë pesimistë banorët e kësaj zone, që  kanë marrë vetëm premtime sa herë ka fushata elektorale.

Top Channel