Mazhoranca tërheq “mbetjet”, Rama: Të informohen qytetarët

26/09/2017 00:00

Dekreti i ish-presidentit Nishani për rrëzimin e ligjit të mbetjeve u votua në Komisionin e veprimtarive prodhuese, edhe me votat me mazhorancës.

Deputetët socialistë Shalsi dhe Bare abstenuan. Procedura u krye pa debat, por pas votimit reaguan Florion Mima nga PD dhe Shalsi nga PS.

“PD do të vigjilojë dhe fton gjithëkënd të interesuar për ta pasur këtë vend më të pastër e më të mirë të bëjë të njëjtën gjë bashkë me ne ndaj çdo ideje të mundshme për ta rifutur këtë projekt në rrugëtimin parlamentar”, deklaroi Mima.

“Nuk është bërë asnjë herë dhe në asnjë moment fjala për import plehrash, mbetjesh. Është bërë fjalë për import të lëndëve të para dytësore, për industrinë e riciklimit”, tha Shalsi.

Më herët ishte kryeministri Edi Rama, i cili paralajmëroi se dekreti do pranohej nga mazhoranca.

“Ne do të tërhiqemi nga projekti, si i tillë në këtë fazë, pasi besojmë, jo se ata që e kundërshtojnë projektin kanë të drejtë, jo që presidenti i mëparshëm që ktheu projektin ka të drejtë, por se është e drejta e të gjithë qytetarëve që të jenë të mirinformuar per këtë projekt të riciklimit të mbetjeve”, deklaroi Rama.

Ndërkohë, në të njëjtën mbledhje Komisioni i veprimtarive prodhuese votoi pro dekretit tjetër të Bujar Nishanit për rrëzimin e ligjit për dhomat e tregtisë, i cili i detyronte beizneset të anëtarësoheshin me detyrim pranë DHT. Dy dekretet do kalojnë për miratim të enjten në seancë plenare.

Top Channel