“Edi Rama ka vendosur ta sabotojë që në hapin e parë zbatimin e vettingut”.

Pasi socialistët vendosën të shkurtojnë ndjeshëm punonjësit dhe pagat për organet e vettingut, opozita beson se kjo është prova se kryeministri nuk e ka dashur asnjëherë vettingun.

“Shapin nga sheqeri e ndajnë faktet, jo fjalët. Me fjalë, Edi Rama ka dalë si kampion i vettingut, me fakte del kundër vettingut. Po saboton që në hapin e parë vettingun. Në fakt, është i njëjti Edi Ramë që e ka zgjidhur qesen dhe paguan më shumë personel në kryeministri sesa paguan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe gjysmën i ka sharës me pagesë të kundërshtarëve politikë”, tha kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
 
Sipas Bashës, shkurtimi i strukturave dhe pagave për organet e vettingut do të ndikojë negativisht në punën e institucionit më të rëndësishëm për vendin: “Bëhet me një qëllim të caktuar. Pa ndihmën e duhur, pa këshilltarët që do të bëjnë të mundur një proces transparent profesional dhe të shpejtë, vettingu do të kalojë në kalendat greke”.

Kreu i opozitës thotë se e di cila është pengesa e kryeministrit me vettingun: “Edi Rama duhet të ndajë mendjen. Nuk mund të jetë edhe me bandat, edhe me drejtësinë. Nuk mund të jetë edhe mbrojtësi dhe përfituesi i bandës së Elbasanit, bandave të Durrësit, Vlorës, bandave të Shkodrës dhe Lezhës dhe nga ana tjetër të na dalë si kampion i drejtësisë. Të dyja nuk rrinë në një vend. Kaq e kupton çdo shqiptar. O me bandat, o me drejtësinë”.

Vendimi i demokratëve është të paraqesin në Parlament amendamente që rikthejnë propozimin e organeve të vettingut për strukturën dhe nivelin e pagave që ata gjykojnë se janë të nevojshme për të kryer një punë efektive në kontrollin e pasurive dhe integritetin e figurës për rreth 800 njerëzit e sistemit të drejtësisë. Me të njëjtin vendim ka dalë edhe grupi parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke rikonfirmuar një opozitë të bashkuar për çështjen e vettingut.

“Shpresojmë shumë që qeveria të reflektojë dhe maxhoranca dhe t’i votojë, të cilat nuk do të jenë asgjë më shumë dhe asgjë më pak sesa propozimet që këto organe të vettingut kanë bërë për funksionimin normal të tyre”, tha Petrit Vasili, kryetar i grupit parlamentar të LSI-së.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta