Azilkërkuesit, fletëpalosje ndërgjegjësimi në pikat kufitare

26/09/2017 00:00

Ashtu siç parashikohet edhe në marrëveshjen me qeverinë franceze për frenimin e fenomenit të azilkërkimit, në pikat e kalimit kufitar po shpërndahen fletëpalosje për ndërgjegjësimin e qytetarve që të mos abuzojnë me të drejtën e lëvizjes së lirë.

“Sot, nëpërmjet shpërndarjes edhe të këtyre fletëpalosjeve që do t’u vihen në dispozicion të gjithë udhëtarëve shqiptarë, kërkojmë që t’i ndërgjegjësojmë ata që të plotësojnë me përpikmëri kriteret e lëvizjes së lirë në të gjitha vendet e Bashkimit Europian, në mënyrë që Shqipëria të mos ndihet e rrezikuar nga fenomeni i azilkërkimit, i cili është ngritur si një shqetësim nga disa prej vendeve të BE-së”, deklaroi zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda.

Zv.ministrja u bëri thirrje qytetarëve që të mos shkelin rregullat e lëvizjes së lirë pasi shanset për të përfituar azil janë zero.

“Të jemi sa më të rregullt, sa më striktë dhe mjafton të rikujtojmë dhe një herë faktin që Shqipëria është një vend i origjinës së sigurt. Dhe sigurisht është një vend me shumë shanse dhe mundësi për të gjithë qytetarët shqiptarë”, theksoi Voda.

Vetëm gjatë muajit gusht janë kthyer 177 shtetas shqiptarë të cilët nuk kanë plotësuar kriteret e lëvizjes së lirë në vendet e zonës Schengen.

Top Channel