“Rod Laver Cup”, Federer i jep trofeun Europës

25/09/2017 00:00

Skuadra e Europës është shpallur fituese e edicionit të parë të “Rod Laver Cup”, një kompeticion i ngjashëm me atë të “Ryder Cup” në golf, ku Europa përballet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai që i dha pikët e fitores përfundimtare skuadrës nga kontinenti i vjetër ishte pikërisht Roger Federer, që mposhti Nick Kyrgios, pjesë e skuadrës së Botës, në ndeshjen e fundit të kompeticionit.

Skuadrat hynë në ditën e tretë të “Rod Laver Cup” me avantazhin 9-3 për Europën, e ndeshja e parë ishte ajo e lojës dyshe mes çiftit Isner-Sock e atij të formuar nga Cilic-Berdych, me amerikanët që dolën fitues me rezultatin 2-0, me sete 7-6 dhe 7-6, për ta çuar në 9-6 diferencën me Europën.

Skuadra nga kontinenti i vjetër u kundërpërgjigj me Zverev, i cili mposhti Sam Querrey 2-0, me sete 6-4 dhe 6-4. Më pas radha i erdhi Nadalit, që u vu përballë Isner, me amerikanin që mori triumfin e parë ndaj spanjollit, për të reduktuar sërish diferencën e skuadrës së Botës me atë të Europës në 12-9, duke bërë që gjithçka të ishte në duart e Federer.

Zvicerani nuk zhgënjeu dhe bëri heroin teksa mposhti Nick Kyrgios, në një ndeshje që dukej e favorshme për australianin, i cili nëse do të fitonte, do ta çonte këtë përballje në sfidën shtesë në lojë dyshe.

Rezultati i seteve të ndeshjes mes Federer dhe Kyrgios ishte 4-6, 7-6 dhe 11-9 për zviceranin, i cili bëri që të shpërthejë festa te skuadra e tenistëve europianë. Edicioni i dytë i “Rod Laver Cup”, që është në nder të legjendës australiane të tenisit, do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Chicago, me John McEnroe dhe skuadrën e tij që do të kërkojnë revanshin ndaj rivalit të tij Bjorn Borg.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta