
Roma dhe Interi, dy rivalët e radhës për kuqezinjtë në Serie A, pritet të japin konkluzionin e saktë se çfarë i pret futbollistët e Milanit, me në krye Bonuccin, në vijim. Reagimet ndërkohë mes tifozëve kuqezinj nuk kanë reshtur. Sipas tyre, Montella është arsyeja e parë, për të mos thënë e vetmja, e disfatës së “djallit” ndaj Sampdorias.
Deklaratat e Marco Fassones, menjëherë pas sfidës në “Marassi”, mund të lexohen fare qartë. Nuk ishin një shuplakë e mirëfilltë ndaj skuadrës, së cilës i mungoi dëshira dhe dukej e dembelosur, por mund të konsiderohen një paralajmërim i qartë ndaj të gjithëve, me Montellën në krye: nuk mund të tolerohen më gabime të tjera.
Objektivi i deklaruar dhe i detyrueshëm për Milanin, siç është theksuar prej fillimit, është kualifikimi në edicionin e ardhshëm të Champions League. Një objektiv që duket i largët në këto 6 javë kampionati, jo më shumë për sasinë e pikëve, sesa për cilësinë e lojës së shfaqur nga skuadra, por që është drejtpërdrejt i lidhur me rezultatet e sfidave ndaj rivalëve direkt. Kjo sepse merret si i mirëqenë fakti që, në ndeshjet ndaj skuadrave teknikisht dhe teorikisht inferiore, Milani të mos humbasë më pikë.
Pikërisht duke nisur nga Roma, Montella do të luajë një pjesë të rëndësishme të së ardhmes së tij. Deri më tani, askush në radhët e shoqërisë kuqezi nuk e ka përmendur konkretisht zëvendësimin e trajnerit, edhe pse ka disa zëra që flasin për një tentativë ndaj Mazzarrit. Por, nëse humben të tjera pikë ndaj rivalëve të drejtpërdrejtë për 4 vendet e para, do të shkonte drejt dështimit edhe projekti për rilindjen e Milanit dhe do të bëheshin të pavlera sforcot ekonomike të bëra gjatë merkatos së verës nga pronarët kinezë.
Por se në çfarë mënyrë do ta zgjidhë këtë problem Montella, brenda vetëm një jave, është e vështirë të kuptohet. E sigurtë është se nga ndeshja në Genova, disa vendime të trajnerit janë kritikuar. Siç ishte për shembull ai i aktivizimit të Zapatës në vend të Musacchios, apo ai i Susos përkrah Kaliniç, një rol që spanjolli nuk di ta mbulojë. Ndeshja e radhës është ndaj Romës, e të mendosh sot se Milani mundet ta mposhtë skuadrën e Di Francescos mund të konsiderohet si një “çmenduri”. Kjo, sepse skuadra romane ka një mesfushë që mund të ekspozojë limitet e asaj të Milanit, ndërsa me një Dzeko tejet të lëvizshëm në sulm, mbrojtja me 3 e kuqezinjve mund të hasë shumë probleme.
Milani, gjithsesi nuk ka alternativa. Humbja është kategorikisht e ndaluar, ndërsa vështirë se mund të pranohet si rezultat pozitiv edhe barazimi. Montella, i cili e dinte që në fillim se kishte shumë pak kohë në dispozicion për të menaxhuar më së miri skuadrën e vënë në dispozicion pas merkatos së verës, duket se ka arritur në pikën kulminante. Nëse do të dijë të gjejë forcat për të lënë pas krahëve atë çfarë ka ndodhur, Milani i tij sigurisht që mund të rifillojë një kampionat të ri, përndryshe mund të vijë edhe koha për shkarkimin e tij.
Top Channel