Kontrolli i ushqimeve, laboratori i Elbasanit ende i mbyllur

25/09/2017 00:00

Edhe pse është mbyllur rreth 3 vite më parë me një vendim të Ministrisë së Bujqësisë, laboratori mikrobiologjik rajonal i sigurisë ushqimore ende shihet si domosdoshmëri nga specialistët.

Mungesa e këtij laboratori në një qark të madh si Elbasani, me fshatra shumë të largëta ka vështirësuar kryerjen e analizave mikrobiologjike apo fiziko-kimike për shkak të distancës.

“Sëmundja e plasjes që në anën kimike veterineri ose fermeri e përcakton, ndaj saj s’mund të zbatohet asnjë masë pa konfirmimin e laboratorit, që duhet bërë sa më shpejt për të marrë masat e domosdoshme për karantinën dhe rastin e bllokimit të kafshësh që arrin deri në djegie dhe masa të tjera veterinare”, thotë Ramazan Ceka, veteriner.

Me aparatura nga një fond i Bashkimit Europian, sot laboratori, i ndodhur pranë AKU-së, qëndron i mbyllur ndërkohë që në raste të disa sëmundjeve tek kafshët kërkohen përgjigje urgjente të analizave.

“Prisnim nga dita në ditë se do të hapej. U rikonstruktua dhe u bë modern dhe na thanë se do hapej. Por në 2013 ai u mbyll dhe qarku i Elbasanit ka mbetur pa laborator. Laboratori është domosdoshmëri emergjente për sigurinë ushqimore, diagnostikimin e sëmundjeve të kafshëve dhe çdo emergjencë që rrezikon jetën e njerëzve”, nënvizon Ceka.

Elbasani nuk ishte qarku i vetëm në të cilin laboratori mikrobiologjik u mbyll. Nga 12 të tillë në të gjithë vendin, sot janë vetëm 7, ndërsa edhe për AKU-në ky laborator është i domosdoshëm.

Top Channel