Nga siguria në Ballkanin Perëndimor përfiton e gjithë Europa, e prandaj ne kemi investuar kaq shumë në sigurinë dhe stabilitetin e këtij rajoni. Kështu u shpreh gjenerali Petr Pavl, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, në një intervistë ekskluzive për “Deutsche Welle”-n.

“Synojmë të ruajmë praninë, fokusin dhe angazhimin tonë në Ballkanin Perëndimor, për aq kohë sa kërkohet ndihma jonë, dhe të mbështesim aspiratat euroatlantike të vendeve në rajon. Ambienti i sigurisë ka ndryshuar ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit”, tha Petr Pavl, gjeneral.

Përforcimi i krahut lindor me praninë e grupeve luftarake shumëkombëshe, rritja e pranisë në rajonin e Detit të Zi dhe koordinimit me organizata të tjera, përcjell sipas tij mesazhin e qartë se një sulm kundër ndonjë aleati do të përballohet nga e gjithë aleanca si e tërë.

Kryetari i Komitetit Ushtarak të Aleancës së Atlantikut të Veriut pohon se stabiliteti dhe paqja në Ballkanin Perëndimor kërcënohen nga një sërë sfidash të shumta, si një Rusi më agresive dhe më e sigurtë në vetvete, si dhe terrorizmi. I pyetur lidhur me strategjinë e NATO-s për të neutralizuar ndikimin e Rusisë në rajon, gjenerali u shpreh:

“Çdo ndërhyrje e jashtme, qoftë me piraterinë informatike, propagandën apo nxitjen e trazirave, është në kundërshtim me parimet e marrëdhënieve të mira ndërkombëtare. Ne inkurajojmë qeveritë të rrisin qëndresën ndaj këtyre lloj ndërhyrjesh dhe të sigurojnë që institucionet e tyre demokratike mbeten të forta, të luftojnë korrupsionin, të modernizojnë dhe zbatojnë reformat e nevojshme”, tha Petr Pavl.

Gjenerali Pavl shprehu mirënjohjen për angazhimin e fuqishëm të Shqipërisë ndaj aleancës dhe kontributeve të saj në misionet e NATO-s.

Top Channel