
Edi Rama iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për herë të tretë në cilësinë e kryeministrit të Shqipërisë.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë u ndal tek sfidat me të cilat përballet bota sot, duke nisur që nga terrorizimi, konfliktet në vende të ndryshme e deri tek ndryshimet e klimës. Kryeministri Rama u ndal dhe tek prioritetet e qeverisë shqiptare.
“Një nga prioritetet kryesore të vendit tim është anëtarësimi në Bashkimin Europian. Nuk është thjesht një objektiv në politikën tonë të jashtme. Për ne integrimi në BE qëndron në zemër të zhvillimit tonë. Ne e dimë plotësisht që fillimisht është detyra jonë për të bërë reformat e domosdoshme për të hapur rrugën e integrimit. Por ne presim nga partnerët e BE-së që të bëjnë pjesën e tyre për hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Do të jetë një moment historik në këtë proces, por edhe një shtysë e fortë për ne për të vazhduar në të njëjtën rrugë”, deklaroi Rama.
Duke u ndalur tek Ballkani Perëndimor, kryeministri Rama vlerësoi bashkëpunimin mes vendeve, si një sinjal për BE-në.
“Më parë ne e kemi përdorur këtë foltore duke harxhuar kohën dhe energjitë duke sfiduar fqinjët tanë, se cili është më i miri, duke treguar historitë e njëanshme dhe duke u përpjekur të bindim botën me rrëfimet tona. Fatmirësisht kjo gjë ka kaluar. Prova më e mirë e ndryshimit në Ballkanin Perëndimor qëndron në bashkimin e forcave dhe të përgjegjësive në mënyrë që ta bëjmë rajonin një pjesë natyrale të Europës”, theksoi Rama.
Rama artikuloi, ashtu dhe si në fjalimet e mëparshme në OKB, nevojën për njohjen e Kosovës. “E kemi thënë atë më parë, e përsërisim sot: Njohja e Kosovës, vendosja e marrëdhënieve dhe ndihma për Kosovën për të ecur përpara, diçka që 114 anëtarë të OKB-së e kanë bërë deri tani, është kontribut i drejtëpërdrejtë për një jetë më të mirë për qytetarët e saj dhe një investim në sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, të të gjitha vendeve të rajonit, përfshirë Serbinë”, vuri në dukje Rama.
Ai ripërsëriti atë që ministri Ditmir Bushati artikuloi pak ditë më parë, mbështetjen për presidentin Trump për riorganizimin e OKB-së.
“Ndryshimi i OKB-së është i nevojshëm për të qenë më koherentë, të jetojë me përgjegjësitë e saj, të sigurojë premtimin e zhvillimit të qëndrueshëm, të sigurojë të drejtat e njeriut dhe të garantojë paqen dhe sigurinë për gjeneratat e ardhshme”, tha më tej Rama.
Top Channel