“Qeverisja e Kinës”, Meta përshëndet promovimin e librit të Xi Jinping

22/09/2017 00:00

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti veprimtarinë e Ambasadës kineze të zhvilluar në Muzeun Historik Kombëtar me rastin e 68-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës si dhe promovimit të botimit në shqip të librit të Presidentit Xi Jinping, të titulluar “Qeverisja e Kinës”.

“Botimi në shqip i librit të Presidentit Xi Jinping është një mundësi për të njohur dhe kuptuar më mirë Kinën e sotme, filozofinë dhe vizionin e lidershipit të saj, reformat e ndërmarra dhe ndryshimet e thella, ambiciet e saj ekonomike dhe hapjen ndaj investimeve të huaja, rolin e saj të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, jo vetëm për studiuesit, diplomatët, por edhe për lexuesit e thjeshtë”, tha Presidenti Meta.

Meta tha se Kina wshtw një partner domethënës tregtar dhe ekonomik për Shqipërinë.

“Ndihma e madhe dhe e jashtëzakonshme e popullit kinez për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë të paktën për dy dekada, si dhe bashkëpunimi shumëdimensional e forcuan ndjenjën e miqësisë mes dy vendeve tona në mënyrë të jashtëzakonshme. Republika Popullore e Kinës përfaqëson jo vetëm një vend mik, por mbi të gjitha një partner domethënës tregtar dhe ekonomik për Shqipërinë. Shqipëria i kushton një rëndësi shumë të madhe e të veçantë, forcimit të bashkëpunimit me Republikën Popullore të Kinës”.
 

Top Channel