
Përpara 3 ditësh, krijuesi rus i armës më të famshme dhe më vdekjeprurëse të botës, “AK-47”, e njohur ndryshe edhe si kallashnikov, u nderua me një monument në Moskë, por nderimi duket se i është bërë me një pasaktësi jo edhe aq të vogël.
Pllakata që shoqëron statujën e shpikësit Mikhail Kalashnikov nuk ka të vizatuar një “AK-47”, por një armë gjermane të tipit “StG 44”, e njohur ndryshe si “Sturmgewehr 44”. Për këtë arsye është marrë edhe vendimi për ndryshimin e monumentit.
Ai u përurua këtë javë me festime të mëdha nga zyrtarët qeveritarë dhe pjesëtarë të Kishës Ortodokse ruse, por ekspertët e armëve thonë se vizatimi në bazën e statujës tregon armën “StG 44”, të përdorur nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjë që do të riparohet shumë shpejt.
“Skulptori ka bërë një gabim, por ai ndodhet pikërisht atje për ta çmontuar atë pllakë me vizatimin e armës së gabuar”, tha drejtori ekzekutiv i “Russian Military Historical Society”, Vladislav Kononov, për agjencinë e lajmeve “Reuters”.
Ishte ky institucion që e porositi dhe autorizoi monumentin 7.5 metra të lartë, që tregon Kalashnikovin duke mbajtur një “AK-47” në duart e tij. Një seri armësh të modifikuara AK janë gdhendur në pllakatën metalike në bazën e statujës, përfshi edhe vizatimin e gabuar.
Historiani rus i armëve, Yuri Pasholok ishte i pari që e vërejti këtë gabim, ndërsa disa ekspertë të tjerë konfirmuan më pas atë.
Skulptori Salavat Shcherbakov deklaroi këtë të premte se “kjo është diçka që po e korrigjojmë”, duke shtuar se “jemi duke u përpjekur të shmangim gabimet”, raportoi televizioni rus “Rossiya-24”.
Arma automatike është një prej më të shquarave të Rusisë, teksa ministri i Kulturës, Vladimir Medinsky e përshkroi atë si një “markë kulturore” të vendit. E dizenjuar nga Kalashnikovi në vitin 1946, ajo arriti të bëhej arma më e përhapur në botë, e cila është përdorur thuajse në çdo konflikt madhor.
Edhe pse është nderuar nga shteti, Kalashnikovi vet nuk bëri shumë parà nga shpikja e tij. Dikur, ai është shprehur se do të kishte qenë më mirë që të kishte dizenjuar një kositës lëndine. Mikhail Kalashnikov ndërroi jetë në vitin 2013, në moshën 94-vjeçare.
Ndërkohë, arma gjermane “Stg-44” është shpikur nga Hugo Schmeisser dhe është përdorur për herë të parë nga trupat e Adolf Hitlerit në vitin 1944. Disa ekspertë pranojnë ngjashmërinë mes dy armëve, e përmendin gjithashtu edhe faktin se Schmeisser, së bashku me një grup inxhinierësh gjermanë, u detyruan të punonin në ish-Bashkimin Sovjetik, pas Luftës së Dytë Botërore.
Top Channel