
“Shkëlzen Doli, Albanian Soul” është duke bërë përgatitjet e fundit për koncertin e 23 shtatorit, në sheshin “Skënderbej”. Provat sapo kanë nisur. 70 instrumentistët nga të gjitha trevat shqiptare, së bashku me maestron, që sapo ka mbërritur, po ashtu edhe korin janë duke punuar.
“Tani sapo kemi filluar provat të bashkuar dhe orkestra ka filluar, ka një kohë të gjatë që janë duke punuar. Uroj që ky koncert të jetë si një fillim i një riparimi të muzikës autoktone shqiptare”, tha Shkëlzen Doli, violinist.
Kamera e Top Channel kap momente nga “Valsi i lumturisë”, “Arbëreshës sime”, apo “Potpuri korçare”, duke sjellë edhe njëherë në vëmendje që koncerti do të jetë një larmishmëri e muzikës autoktone shqiptare të të gjitha trevave, nën shoqërinë e të ftuarve specialë.
“Do të jene dy anëtarë të Filarmonisë së Vjenës: Walter Auer, flautist, dhe Sebastian Bru, udhëheqësi i violinçelave. Do jetë edhe pianisti italian që jeton në Vjenë, Luca Monti. Do të jemi 4 solistë që do të shoqërohemi nga kjo orkestër mbarëshqiptare”, tha më tej Shkëlzen Doli.
Që prej 21 shtatorit, në sheshin “Skënderbej” po bëhen përgatitjet e fundit për një shfaqje të madhe, që pritet të shndërrohet traditë në vazhdimësi.
“Shpresojmë të na mbajë edhe koha”, tha në fund Doli.
Top Channel