Përfundon rruga e “Oxhakut”, Veliaj: I dhamë fund pluhurit dhe baltës

21/09/2017 00:00

Rikonstruksioni i rrugës së “Oxhakut” në njësinë nr 4, tashmë ka përfunduar dhe 10 mijë banorët e kësaj zone do të kenë një rrugë me infrastrukturë nëntokësore, ndriçim dhe gjelbërim.

Ky investim është shprehur kryebashkiaku Erion Veliaj, ka sjellë rritje të vlerës së pronës dhe bizneseve në zonë, ndërsa bëri të ditur se bashkia po studion situatën që këtij projekti t’i bëhen edhe ndërhyrje të tjera që mund t’i vinin në ndihmë banorëve.

“Kemi një rritje të vlerës së biznesit sepse ka më shumë frekuentim, mjedisi është më i këndshëm. Jemi duke menduar edhe për të vendosur një treg apo një kënd lodrash, ose shtojca të tjera që mund t’i bëhen projektit, për ta bërë rrugën akoma më të mirë”, shtoi kreu i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj tha se ky është vetëm një nga investimet e rëndësishme që bëhen në këtë zonë, pasi paralelisht po punohet edhe në rikonstruksionin e plotë të rrugës së “Dibrës”, për të cilën ai bëri të ditur se do të ndërhyhet edhe për zgjerimin e trotuareve për këmbësorët. “Është një rrugë që lidh dy njësi, 3 me 4, dhe besoj që me ndërhyrjen që do të bëjmë edhe në Rr. e “Dibrës” ku do të tërhiqet edhe muri i Shkollës së Bashkuar për ta bërë më funksional gjithë atë trotuar, pra pa hipur e zbritur disa herë shkallët, që të jetë i aksesueshëm nga të moshuarit, nga ata me aftësi të kufizuar, besoj që e gjithë lagjja konturohet”, u shpreh Veliaj.

Top Channel