Mogherini dhe Hahn: Ballkani, perspektivë integrimi

21/09/2017 00:00

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, dhe Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn, shtrënguan duart në Nju Jork me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor në një takim pune, fokusi i të cilit ka qenë çuarja përpara e procesit të integrimit europian për mbarë rajonin.

Në njoftimin e zyrës së kryediplomates europiane sqarohet se, udhëheqësit e Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Bosnjes e Maqedonisë treguan edhe njëherë përkushtimin e tyre të thellë ndaj reformave dhe bashkëpunimit.

Takimi u zhvillua në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Nga sa shpjegon më tej deklarata, dy zyrtarët e lartë të bllokut kanë lënë edhe njëherë të kuptohet se, përkrahja për të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor është e madhe.

“Ne rikonfirmuam mbështetjen e qartë të Bashkimit Europian për perspektivën e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor, siç është shprehur tani vonë edhe në nivelin e Këshillit Europian, si dhe nga presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, në fjalimin e tij të përvitshëm mbi gjendjen e unionit, të mbajtur më herët gjatë muajit. Në linjë me këtë angazhim, BE-ja po e shton mbështetjen e saj ndaj të gjithë partnerëve, drejt përmbushjes së synimeve të arritshme dhe realiste, në mënyrë që përparimi i tyre të jetë i pakthyeshëm deri në fund të mandatit tonë”, tha Mogherini.

“Jemi të kënaqur që udhëheqësit – presidenti Filip Vujanoviç i Malit të Zi; Aleksandar Vuçiç i Serbisë; Hashim Thaçi i Kosovës; kryetari i presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Dragan Coviç; kryeministri shqiptar Edi Rama; si dhe ai i ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Zoran Zaev – e konfirmuan angazhimin e tyre ndaj reformave, sidomos asaj në drejtësi, në fushën e sundimit të ligjit, si dhe bashkëpunimit rajonal e marrëdhënieve të fqinjesisë së mirë, për ta ruajtur e zhvilluar këtë moment pozitiv”, thuhet më tej në deklaratën e Mogherinit.

Juncker tha më 13 shtator se, “qëndrueshmëria në fqinjësinë e Bashkimit Europian nënkupton mbajtjen hapur të perspektivës së Ballkanit Perëndimor për integrim, edhe pse asnjëri prej vendeve të rajonit nuk mund t’i bashkohet bllokut brenda mandatit aktual të Komisionit, që përfundon në vitin 2019”.

Deklarata e plotë:

“Sot patëm një takim pune me liderët e të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB në Nju Jork për të ecur me tej me punën për rrugën e integrimit në Bashkimin Europian për të gjithë rajonin.

Ne rikonfirmuar mbështetjen e qartë të Bashkimit Europian për prespektivën e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor, siç është shprehur kohët e fundit si në nivelin e Këshillit Evropian, ashtu edhe nga Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, në fjalimin e tij vjetor në fillim të shtatorit.

Në përputhje me këtë angazhim, Bashkimi Evropian po rrit mbështetjen e saj ndaj të gjithë partnerëve drejt objektivave të arritshme dhe realiste, në mënyrë që përparimi i tyre të jetë i pakthyeshëm deri në fund të mandatit tonë.
    
Ne jemi të kënaqur që udhëheqësit;  Presidenti Filip Vujanoviq i Malit të Zi, Presidenti Aleksandar Vuçiç i Serbisë, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, Kryetari i Presidencës së Bosnje dhe Herzegovinës Dragan Çoviç, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministri i ish Republikës Jugosllave e Maqedonisë Zoran Zaev – konfirmuan angazhimin e tyre për të përforcuar punën e reformave, në veçanti për drejtësinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, si dhe për bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë për të ruajtur dhe ndërtuar në këtë moment pozitiv”.

Top Channel